Te Huma, shpëtimi i një kafshe s’është thjesht një akt zemërgjerë, por vetëm hapi i parë i një misioni që kërkon përkushtim, edukim dhe veprim të zgjuar. Për sa kohë që komuniteti ynë nuk është i ndërgjegjësuar për rëndësinë e sterilizimit, çdo përpjekje për të ndihmuar kafshët e rrugës do të mbetet e përkohshme.
Të gjitha angazhimet tona, aksionet, fushatat dhe ndihmat janë të rëndësishme, por vetëm edukimi mbi sterilizimin mund të mbyllë plagën e popullatës së tepërt të kafshëve të braktisura. Çdo kafshë e shpëtuar sot, nëse nuk sterilizohet, do të sjellë në jetë të tjera — duke zgjatur zinxhirin e ditëve në rrugë, sëmundjet, rreziqet dhe vuajtjen.
Nuk ka zgjidhje pa ndërgjegjësim!
Ndaj, pilastri i organizatës Huma është fiks ky: Të ndryshojmë bindjet dhe kulturen e trajtimit të kafshëve, të flasim hapur për pasojat e neglizhencës, të sensibilizojmë komunitetin me fakte, shembuj dhe fushata informuese.
Ftojmë të gjithë qytetarët, familjarët, dashamirësit e kafshëve dhe njerëzit me zemër të hapur që të mbështesin këtë kauzë. Nuk mjafton vetëm të shpëtosh një jetë – duhet të ndërpresësh ciklin. Secili mund të kontribuojë: me një fjalë, me një postim, me një ndihmë financiare apo pjesëmarrje në aksione sterilizimi dhe edukimi.
Le të jemi bashkë forca që sjell ndryshim të vërtetë. Le të ndërgjegjësojmë, le të veprojmë – që e nesërmja për kafshët ta ketë më të sigurt, më dinjitoze dhe më të bukur!
Andaj, le të bëhemi zë për këtë çështje, le të flasim me miqtë tanë, familjarët, komunitetin, institucionet. Le të organizojmë fonde, fushata dhe të bashkojmë forcat që sterilizimi të mos mbetet një zgjedhje individuale, por të kthehet në një lëvizje për të mirën e të gjithëve.
Vetëm përmes ndërgjegjësimit, edukimit dhe veprimeve të koordinuara do të mund të arrijmë vërtet të ndryshojmë realitetin e kafshëve në rrugë. Ti që po lexon këtë, ke fuqinë të bësh dallimin, bëhu pjesë e zinxhirit të mirësisë: informo, mbështet, dhuro, sensibilizo. Për çdo jetë që nuk lind e dënuar të endet, për çdo kafshë që gjen paqe. Në këtë mënyrë, të gjithë mund të themi me bindje: po, ne bëmë diçka që ka vlerë.